Histori/Këto
janë trojet shqiptare
HARTAT HISTORIKE DHE AKTUALE TË SHQIPËRISË
Mbrojtja
e Plavës dhe e Gucisë (tetor 1879-janar 1880)
Historia e Plavës dhe Gucisë në shekuj:
Me
revoltën e armatosur të Gjakovës dhe me aksionin
diplomatik të pranverës së vitit 1879, Lidhja
Shqiptare ia hoqi Portës së Lartë de facto
të drejtën që të fliste në emër
të Shqipërisë. Veç kësaj, me qëndresën
e saj energjike, ajo bëri që të zvarriteshin
e të mos zbatoheshin menjëherë dy vendimet
e rëndësishme të Kongresit të Berlinit,
që cenonin interesat kombëtarë të Shqipërisë,
njëri në favor të Malit të Zi (neni 28
i Traktatit) dhe tjetri në dobi të Greqisë
(Protokolli nr. 13 i Kongresit).
Megjithatë
Lidhja e Prizrenit nuk e kishte plotësuar ende përfundimisht
programin e saj. As gjashtë Fuqitë e Mëdha
nuk ishin të prirura t’i anulonin vendimet që
kishin marrë në Kongresin e Berlinit, as dy shtetet
fqinje ballkanike nuk kishin ndërmend të hiqnin
dorë nga viset që u kishin premtuar Fuqitë
e Mëdha. Si rrjedhim, lufta për mbrojtjen e trojeve
shqiptare ende nuk kishte marrë fund, përkundrazi,
parashikohej që ajo të merrte trajta të përgjakshme.
Pas vrasjes në Gjakovë të mareshal Mehmet Ali
pashës, Porta e Lartë u dha të kuptojnë
Fuqive të Mëdha se e kishte tepër të vështirë
të përmbushte kundrejt Malit të Zi detyrimet
territoriale që rridhnin nga Traktati i Berlinit. Por
knjaz Nikolla nuk donte të dinte për asnjë
justifikim. Nga frika se me kalimin e kohës mund të
ndryshonin rrethanat ndërkombëtare në dëm
të saj, Cetina kërkonte vazhdimisht ndërhyrjen
e Fuqive të Mëdha për ta detyruar Perandorinë
Osmane të dorëzonte sa më parë krahinat
e Podgoricës, të Shpuzës, të Zhabjakut,
të Plavës, të Gucisë e të Rugovës,
të cilat Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë
Malit të Zi. Veç kësaj, si kundërpeshë
ajo po e vononte dorëzimin e Ulqinit, të Dinoshit
dhe të Bregut të Bunës, të cilat i mbante
të pushtuara qysh nga koha e luftës, por që
sipas Traktatit të Berlinit duhej t’i ktheheshin
Perandorisë Osmane.
Presionin
më të fortë ndaj Perandorisë Osmane e
ushtroi Rusia cariste, e cila vijoi ta kushtëzonte tërheqjen
e ushtrive të saj pushtuese nga Traka me dorëzimin
e krahinave që i qenë premtuar Malit të Zi.
Fuqitë e tjera të Mëdha u bashkuan me presionin
carist, pasi e shikonin me shqetësim qëndrimin e
mëtejshëm të ushtrive ruse në afërsi
të Stambollit. Kështu, në fund të vitit
1878, Porta e Lartë vendosi t’i zbatonte detyrimet
territoriale kundrejt Malit të Zi.
Vendimi i Stambollit ngriti përsëri në këmbë
shqiptarët. Për të shqyrtuar gjendjen e re
u mblodh menjëherë, në fillim të janarit
1879, Komiteti Kombëtar i Lidhjes, i cili ripohoi qëndrimin
e vet të caktuar më parë. Sipas kësaj
vije, Lidhja e Prizrenit nuk do ta pengonte dorëzimin
e Podgoricës, të Shpuzës e të Zhabjakut,
pasi ato banoheshin nga popullsi të përziera sllavo-shqiptare,
por do ta kundërshtonte me armë lëshimin e
Plavës dhe të Gucisë, popullsia e të cilave
ishte në masën dërrmuese shqiptare. Vendimin
e Komitetit Kombëtar e miratuan të dy komitetet
ndërkrahinore të vilajeteve të Shkodrës
dhe të Kosovës, të cilat po në janar 1879
mblodhën kuvendet e tyre të jashtëzakonshme,
pothuajse në atë kohë që zhvilloi punimet
e veta edhe Kuvendi Ndërkrahinor i Prevezës. Meqenëse
Plava e Gucia bënin pjesë në vilajetin e Kosovës,
barrën e drejtimit dhe të organizimit të luftës
për mbrojtjen e tyre e mori përsipër Komiteti
Ndërkrahinor i Prizrenit, i cili nga ana e vet formoi
një shtab ushtarak të posaçëm, me Ali
pashë Gucinë në krye.
Ndërkaq u mblodh në fshatin Virpazar, në afërsi
të liqenit të Shkodrës, komisioni turko-malazez,
i cili më 2 shkurt 1879 nënshkroi marrëveshjen
dypalëshe për formalitetet e dorëzimit brenda
një jave të krahinave të vilajetit të
Shkodrës, që i takonin njëra-tjetrës sipas
Traktatit të Berlinit. Nga frika e kryengritjes së
shqiptarëve, Porta e Lartë nuk pranoi ta përfshinte
në marrëveshje dorëzimin e Plavës e të
Gucisë, duke e lënë çështjen e
tyre për t’u zgjidhur më vonë. Sipas
marrëveshjes, dorëzimi i Podgoricës, i Shpuzës
dhe i Zhabjakut nga ana e autoriteteve turke u krye pa vështirësi.
Po ashtu u bë edhe dorëzimi i Ulqinit, i Dinoshit
dhe i Bregut të Bunës nga ana e autoriteteve malazeze.
Por
Mali i Zi nuk deshi ta linte punën të zgjatej më
tej. Knjaz Nikolla iu drejtua menjëherë Fuqive të
Mëdha, duke kërkuar prej tyre që ta detyronin
Perandorinë Osmane t’ia dorëzonte dy krahinat
shqiptare (Plavën dhe Gucinë) Malit të Zi.
Nga ana e vet Porta e Lartë u kërkoi Fuqive të
Mëdha të dërgonin në Plavë e në
Guci një Komision Ndërkombëtar për t’u
bindur për vështirësitë që gjente
te shqiptarët e egërsuar nga padrejtësitë
e Kongresit të Berlinit. Në vend të tij ato
dërguan Komisionin Ndërkombëtar për caktimin
e vijës së kufirit, të përbërë
nga përfaqësues të gjashtë Fuqive të
Mëdha dhe të dy shteteve të interesuara. Komisioni
filloi nga puna në maj 1879 dhe për disa muaj me
radhë u mor me caktimin e pikave të kufirit turko-malazez
në vilajetin e Shkodrës. Por gjatë verës,
kur Komisioni Ndërkombëtar donte të shkonte
në Plavë e në Guci, përfaqësuesit
e Komitetit Ndërkrahinor të Prizrenit u paraqitën
Fuqive të Mëdha, më 22 gusht 1879, një
notë me shkrim, me të cilën deklaronin se nuk
do të njihnin asnjë ndryshim të kufirit me
Malin e Zi pa pjesëmarrjen në Komisionin Ndërkombëtar
të krerëve të Lidhjes Shqiptare dhe pa u miratuar
vendimet e tij nga e “gjithë” Shqipëria.
Pas kësaj note të rreptë, Komisioni Ndërkombëtar
e ndërpreu punën e vet, pezulloi udhëtimin
e tij për në Plavë e në Guci.
Me këtë rast filluan përsëri protestat
e Malit të Zi dhe ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha
për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta zgjidhte
sa më parë çështjen e Plavës e
të Gucisë. Porta e Lartë provoi t’i bindte
banorët e dy krahinave kufitare që të hiqnin
dorë nga qëndresa e mëtejshme, duke u premtuar
familjeve, që nuk dëshironin të jetonin nën
sundimin malazez, se do t’u jepte tokë në
vendbanime të reja dhe se do t’i çlironte
nga taksat për dhjetë vjet. Por shqiptarët
nuk u lëkundën nga vendimi i tyre. Atëherë
knjaz Nikolla filloi të kërcënonte se do ta
zgjidhte këtë çështje me anën e
luftës së armatosur dhe se në një rast
të tillë nuk do të aneksonte vetëm Plavën
e Gucinë, por edhe vise të tjera shqiptare.
Në këto rrethana, marrëdhëniet shqiptaro-malazeze
erdhën duke u keqësuar vazhdimisht. Gjatë muajit
tetor 1879 Mali i Zi filloi përqendrimin e ushtrive në
kufi, duke e çuar numrin e tyre në 5 600 veta.
Këtyre masave Lidhja e Prizrenit iu përgjigj duke
vënë në gatishmëri luftarake forcat e
saj të armatosura.
Sipas
vendimit që Këshilli i Përgjithshëm i
Lidhjes kishte marrë më 3 tetor 1879, Komisioni
Ushtarak a Shtabi Ushtarak, nën kryesinë e Ali pashë
Gucisë, i krijuar nga Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes
Shqiptare për Kosovën, shpalli për zonën
e Plavës e të Gucisë gjendjen e luftës.
Të gjithë burrat plavianë e gucianë të
aftë për armë u shpallën luftëtarë
që do të qëndronin në gatishmëri
në shtëpitë e tyre. Po në tetor 2 mijë
gjakovarë të armatosur u nisën për në
Guci. Në fund të tetorit mbërritën këtu
edhe vullnetarë nga Shkodra e Malësia. Porta e Lartë,
për të mënjanuar konfliktin e armatosur, i
propozoi Cetinës që në vend të krahinave
shqiptare të Plavës e të Gucisë t’i
jepte disa vise sllave të Hercegovinës. Por propozimin
e Stambollit, të cilin e kundërshtoi Austro-Hungaria,
nuk e pranoi as Mali i Zi.
Pas
disa ndeshjeve sporadike kufitare, që ndodhën gjatë
tetorit, knjaz Nikolla vendosi më në fund të
kalonte në sulme të hapura. Më 31 tetor dhe
1 nëntor 1879 forcat malazeze, duke dashur të tërheqin
vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe, njëherazi,
të matnin pulsin e shqiptarëve, kryen dy inkursione
kundër vijës mbrojtëse të forcave të
Lidhjes, të parin në fshatin Pepaj dhe të dytin
në fshatin Arzhanicë. Në këtë të
fundit vranë në befasi 30 fshatarë dhe dogjën
mjaft shtëpi, por pas disa orë luftimesh u dëbuan
nga forcat e Lidhjes. Në të vërtetë këto
qenë sulme demonstrative, të cilat shqiptarët
i përballuan pa ndonjë vështirësi. Edhe
pse dështoi, sulmi malazez nxiti një valë të
madhe mobilizimi në të katër anët e Shqipërisë.
Me mijëra vullnetarë të tjerë vrapuan
në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të
Dibrës e të Shkodrës. Gatishmëria e shqiptarëve
qe aq masive, sa Shtabi Ushtarak i Lidhjes së Prizrenit,
i vendosur në Guci, u detyrua të pengonte nisjen
e tyre drejt frontit, pasi nuk ua ndiente nevojën dhe
nuk kishte mundësi për t’i sistemuar.
Në fillim të muajit dhjetor forcat kryesore malazeze
qenë rreshtuar gjatë vijës kufitare, në
fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e Velikë,
kurse forcat shqiptare përballë tyre në fshatrat
Guci, Kolenivicë, Martinaj, Plavë e Nokshiq. Midis
forcave malazeze dhe shqiptare në sektorin verilindor
kalonte lumi Lim vetëm me një urë prej druri.
Zona malazeze ishte kryesisht malore, ndërsa në
atë shqiptare dominonte pllaja e Plavës.
Më
4 dhjetor 1879, pjesa më e mirë e ushtrisë
malazeze prej 4 mijë ushtarësh, nën komandën
e Mark Milanit, ndërmori një sulm të furishëm
në sektorin e Nokshiqit, në drejtim të Plavës
e të Gucisë. Shtabi ushtarak i Lidhjes, i përbërë
nga Ali pashë Gucia (kryetar), Jakup Ferri, Sulejman
Vokshi, Haxhi Zeka, Filip Çeka, Jusuf Sokoli e të
tjerë, midis të cilëve kishte edhe disa oficerë
të karrierës, u përgjigj duke hedhur në
sulm rreth 2 mijë luftëtarë. Luftimet më
të ashpra u bënë në luginën e Nokshiqit,
ku u angazhuan forca të shumta malazeze. Luftëtarët
u përleshën aq ashpër me njëri-tjetrin,
sa që të dy palët lanë mënjanë
hutat dhe nxorën jataganët, duke u përleshur
trup me trup. Përleshja vazhdoi disa orë me radhë.
Forcat vullnetare të Lidhjes ndalën sulmin e ushtrisë
malazeze dhe i shkaktuan asaj disfatë në Nokshiq,
duke e detyruar të tërhiqej brenda kufijve të
Malit të Zi. Edhe pse të dhënat për humbjet
e të dy palëve janë kontradiktore, mund të
nxirret si përfundim se nga malazezët pati 300 të
vrarë e të mbytur në lumë gjatë tërheqjes,
ndërsa nga shqiptarët 300-400 veta. Në këto
luftime u vra edhe një nga komandantët e shquar
të ushtrisë së Lidhjes, Jakup Ferri.
Vendosmëria e shqiptarëve për të qëndruar
deri në fund dhe këmbëngulja e Cetinës
për të vazhduar më tej luftën alarmuan
si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe Perandorinë Osmane.
Nga frika e ndërlikimeve të reja, Porta e Lartë
vendosi ta zgjidhte me çdo kusht dorëzimin e dy
krahinave kufitare. Për këtë qëllim ajo
nisi menjëherë për në Kosovë mareshal
Ahmet Muhtar pashën, i cili atë kohë ishte
komandanti i Armatës osmane të Rumelisë me
qendër në Manastir. Mareshali, i shoqëruar
nga 11 batalione (rreth 6 000 ushtarë), sapo arriti në
Prizren thirri në takim anëtarët e Komitetit
Kombëtar të Lidhjes për t’i bindur që
t’i nënshtroheshin vendimit të sulltanit.
Por ata nuk pranuan. Më 14 dhjetor 1879 lëshoi një
shpallje, me të cilën u kërkonte shqiptarëve
që të merrnin në konsideratë gjendjen
kritike të Portës së Lartë dhe të
mos pengonin dorëzimin e dy krahinave kufitare, pasi
me qëndresën e tyre po shkaktonin shkatërrimin
e Perandorisë Osmane, por as lutjet, as kërcënimet
nuk dhanë rezultat. Më 15 dhjetor 1879 u mblodh
në Guci Kuvendi i përfaqësuesve të Komitetit
Ndërkrahinor të Kosovës, i cili vendosi që
ta kundërshtonte me armë deri në fund dorëzimin
e kalasë së Gucisë. “Ne, banorët
e Plavës e të Gucisë, - thuhej në memorandumin
e miratuar nga Kuvendi, - nuk i njohim traktatet e shteteve
evropiane që u japin malazezëve tokat e trashëguara
nga prindërit tanë. Ne do ta kundërshtojmë
me armë dorëzimin e tokave tona”.
Sipas
porosisë që kishte dhënë Porta e Lartë,
Ahmet Muhtar pasha mori masa ushtarake për të penguar
vajtjen e vullnetarëve shqiptarë në Plavë
e në Guci. Për këtë qëllim ai solli
nga Mitrovica edhe 7 batalione të tjera, të cilat
i vendosi nëpër shtigjet e rrugëve. Pas kësaj
u nis për në Gjakovë, ku gjeti një gjendje
më të acaruar se në Prizren. Gjakovarët
e paralajmëruan se, po ta vazhdonte më tej rrugën
drejt kufirit, do të pësonte fatin e Mehmet Ali
pashë Maxharit. Kur pa se edhe Peja e kishte bllokuar
rrugën për në Plavë e në Guci, mareshali
osman e ndërpreu misionin e vet, hoqi dorë nga vajtja
në Guci dhe u kthye në Prizren. Dështimi i
misionit të Ahmet Muhtar pashës e bindi përfundimisht
knjaz Nikollën të mos shpresonte më as te ndërhyrjet
e Fuqive të Mëdha. Si rrjedhim, ai vendosi të
ndërmerrte kundër forcave të Lidhjes Shqiptare
një mësymje të përgjithshme, e cila u
zhvillua javën e parë të muajit janar 1880.
Në këtë mësymje u hodh pothuajse e gjithë
ushtria malazeze, 25 batalione me rreth 9 mijë veta,
që u rreshtuan përballë Plavës e Gucisë.
Sapo u njoftua për përgatitjet ushtarake të
Cetinës, Shtabi Ushtarak Shqiptar i përforcoi masat
mbrojtëse. Me thirrjen e Lidhjes Shqiptare u mobilizuan
mijëra vullnetarë nga e gjitha Shqipëria, nga
Plava, Gucia, Peja, Prizreni, Gjakova, Shkodra, Dibra dhe
nga krahinat më të largëta të Shqipërisë
së Jugut. Por shtabi ushtarak i kryesuar nga Ali pashë
Gucia, që mori vetë në dorë drejtimin
e operacioneve luftarake, përqendroi në zonën
kufitare me Plavën e Gucinë 4 mijë luftëtarë
vendas dhe 3 mijë vullnetarë të tjerë,
gjithsej 7 mijë veta.
Komanda
malazeze kishte rreshtuar në vijën e parë të
frontit forcat vullnetare të komanduara nga Mark Milani,
të cilët do të fillonin sulmin sipas taktikës
së tyre tradicionale që kishte pasur kurdoherë
sukses përballë ushtrive osmane. Forcat malazeze
ishin përqendruar në një sektor të ngushtë
(Velikë-Pepaj), me qëllim që t’i shpartallonin
shqiptarët që me sulmin e parë, në drejtim
të Plavës. Por Shtabi Ushtarak Shqiptar ua mori
malazezëve në mënyrë të papritur
iniciativën. Më 6 dhe 7 janar 1880 njësi të
vogla shqiptarësh, me qëllim që të tërhiqnin
vëmendjen e komandës ushtarake malazeze, ndërmorën
dy sulme në verilindje të Malit të Zi, nga
ana e sanxhakut të Novi Pazarit. Komanda ushtarake malazeze,
duke kujtuar se shqiptarët do të vazhdonin të
sulmonin nga verilindja, për t’u dalë forcave
të tyre prapa shpine e tërhoqi ushtrinë nga
zona jugore dhe e nisi drejt veriut. Duke përfituar nga
kjo rrethanë, forcat shqiptare, të rreshtuara në
sektorin e Plavës, shpërthyen më 8 janar një
sulm të furishëm kundër pozitave të armikut
që ndodhej në Velikë, në Pepaj e në
Arzhanicë.
Sulmin
e nisën luftëtarët e Nokshiqit të komanduara
nga Kurt Asllani dhe Nure Kurti. Mësymja ishte e furishme
dhe pas luftimesh të ashpra e trup më trup forcat
malazeze, të përbëra nga 4 mijë luftëtarë,
u detyruan të tërhiqeshin. Ushtritë e Lidhjes,
pasi thyen edhe njësitë malazeze të komanduara
nga Mark Milani, hynë në tokën malazeze, shtinë
në dorë Arzhanicën, Velikën e Pepajn dhe
u drejtuan për në Murinë. Luftimet më
të përgjakshme u bënë në Velikë
e në Pepaj, prandaj përpjekja e 8 janarit mori emrin
e tyre. Ushtria malazeze u tërhoq në Sutjeskë.
Por Shtabi Shqiptar nuk kishte ndërmend të vazhdonte
përparimin në thellësi të tokës së
Malit të Zi. Më 9 janar ai urdhëroi forcat
shqiptare, që nuk hasën ndonjë kundërshtim
nga ushtritë malazeze, të tërhiqeshin në
kufirin e vjetër.
Gjatë
betejës së Pepajt e të Velikës, të
dyja palët patën dëme në njerëz,
por, sipas të dhënave të ndryshme, ato të
Malit të Zi qenë më të shumta. Shqiptarët
lanë në këto luftime edhe dy kapedanët
trima, Kurt Asllanin e Nure Kurtin.
Vrulli patriotik që përshkoi luftën në
Velikë e në Pepaj dhe fitorja që shqiptarët
korrën kundër ushtrive malazeze më 8 janar
1880, la përshtypje të thellë në opinionin
ndërkombëtar. Disa ditë më vonë,
kryekonsulli austro-hungarez në Shkodër, Shmuker,
i cili e ndoqi së afërmi zhvillimin e betejës,
i raportonte qeverisë së vet: “Vetë malazezët
pohojnë se në luftën e Velikës e të
Pepajt shqiptarët luftuan burrërisht dhe fituan
mbi ta. Dhe me të vërtetë, fuqia e Lidhjes
(së Prizrenit - shën. i aut.) e theu atë ushtri
malazeze që ka qenë kurdoherë e zonja t’u
bëjë ballë forcave turke. Shqiptarët luftuan
të shtyrë nga ideja kombëtare”. Pas kësaj,
opinioni publik evropian filloi të interesohej për
historinë e popullit shqiptar dhe për të drejtat
e tij kombëtare. Veç kësaj, disa publicistë
kritikuan Kongresin e Berlinit që nuk i kishte përfillur
të drejtat e një kombi aq trim dhe aq liridashës,
siç ishte populli shqiptar.
Me
fitoren që korrën në Nokshiq, në Pepaj
e në Velikë shqiptarët i dhanë të
kuptonte diplomacisë evropiane se Perandoria Osmane,
sado që po e mbante Shqipërinë prej pesë
shekujsh nën zgjedhë, nuk ishte zonjë e trojeve
të saj dhe se zotër të këtyre trojeve
ishin banorët shqiptarë. Disfata që pësoi
në front e bindi qeverinë malazeze se ajo vetë
nuk ishte në gjendje ta thyente qëndresën e
Lidhjes Shqiptare me anën e luftës së armatosur.
Për këtë arsye knjaz Nikolla shpalli menjëherë
se i kishte pezulluar veprimet luftarake në kufi dhe
se zbatimin e Traktatit të Berlinit në këtë
pikë po ua linte përsëri në dorë
Fuqive të Mëdha. Madje ai kërkoi nga konsulli
britanik në Shkodër që të ndërhynte
pranë autoriteteve qeveritare të vilajetit, me qëllim
që edhe shqiptarët t’i pezullonin veprimet
e mëtejshme luftarake.